Vjen goditja e parë/ Vjollca Hoxha humb gjyqin për aksionet e “Digitalb”
2020-02-21 17:02:32
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Vjollca Hoxhës, për të bllokuar kalimin e një pjesë të aksioneve të saj dhe të fëmijëve të saj në “Digitalb”, në favor të pronarëve të “Supersport”.
Gjyqtarja Regleta Panajoti nuk ka pranuar padinë e familjes Hoxha për të shfuqizuar vendimin e marrë një muaj më parë nga gjyqtari Flamur Kapllani, i cili vendosi kalimin e një pjese të aksioneve të Vjollca Hoxhës dhe fëmijëve të saj, në pronësi të Alba Gina, Agim Zeqo dhe “Aiba Company”.
Siç ka raportuar më parë “Boldnews.al“, disa prej biznesmenëve më të fuqishëm shqiptarë, të ndarë mes kompanive “Digitalb” dhe “Supersport”, u përfshinë në një marrëveshje tregtarë që rezultoi e pasuksesshme.
Në vitin 2010, aksionerët e “Digitalb” synuan blerjen e paketës sportive “Supersport”. Në bazë të marrëveshjes, vlera e transaksionit u parashikua 20 milionë euro, e cila do të paguhej me këste për 10 vjet.
Marrëveshja parashikonte gjithashtu se, nëse shitja nuk finalizohej, atëherë aksionerët e “Digitalb” do i paguanin një dëmshpërblim financiar aksionerëve të “Supersport”.
Në fund të vitit 2019 përfundoi afati, ndërkohë që “Digitalb” nuk arriti të finalizojë blerjen.
Në këto kushte, aksionerët e “Supersport” kërkuan dëmshpërblimin financiar.
Pjesa më e madhe e aksionerëve të “Digitalb” paguan vlerën e dëmshpërblimit, sipas përqindjes së aksioneve që zotërojnë në platformën e prodhimeve dixhitale.
Ndërkohë, aksionerët kryesorë të saj, Vjollca Hoxha dhe fëmijët e saj, refuzuan të paguanin dëmshpërblimin.
Në këto kushte, aksionerët e “Supersport” kërkuan në gjykatë që të merrnin aksionet e Vjollca Hoxhës dhe fëmijëve të saj në “Digitalb”, në kundërvlerën në natyrë të detyrimit financiar.
Në mes të Janarit 2020, gjyqtari Flamur Kapllani vendosi në favor të aksionerëve të “Supersport”, duke i bllokuar familjes Hoxha një pjesë të aksioneve në “Digitalb.
Pas këtij zhvillimi, familja Hoxha zbret në rreth 42% të aksioneve, duke humbur, për herë të parë, paketën kontrolluese të shoqërisë.
Pronarja e Top Channel nuk pajtohet me këtë vendim, duke kërkuar nga gjykata që të bllokojë kalimin e aksioneve të saj në favor të kreditorëvë Alba Gina, Agim Zeqo dhe “Aiba Company”.
Por, kjo përpjekje e saj rezultoi e pasuksesshme, pasi një tjetër gjyqtare, Regleta Panajoti, rrëzoi kërkesën e saj.
Tashmë, pozitat e familjes Hoxha në kompaninë “Digitalb” rrezikohen seriozisht.
Në datën 27 Shkurt 2020, është parashikuar një mbledhje e Bordit të Aksionerëve të “Digitalb”, ku, me shumë mundësi, aksionerët e rinj të kompanisë pritet të kërkojnë largimin e Vjollca Hoxhës nga posti i administratores.
Një mbledhje e ngjashme ishte parashikuar të zhvillohej të Enjten e kësaj jave. Por ajo u shty, pas një kërkese të aksionerëve të rinj, të cilët i dhanë kohë Vjollca Hoxhës për të gjetur një pakt.
Me shumë mundësi, vendimi për shtyrjen e mbledhjes lidhej me vendimin që pritej të jepte Gjykata e Tiranës këtë të Premte, pas padisë së Vjollca Hoxhës.
Tashmë që administratorja e “Digitalb” u rrëzua në gjykatë, ky zhvillim mund të përshpejtojë largimin e saj nga drejtimi i kompanisë.
Burimi: Klan